Me rastin e shpalljes së vitit 2024 si “Viti i Gjuhës Shqipe” nga Ministria e Arsimit, Departamenti i Edukimi, Gjuhës dhe Letërsisë angleze dhe Qendra për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Inovacion, organizuan ditën e sotme tryezën e rrumbullakët me titull “Shqip në Bedër”.
Dekani i Fakultetit të Shkencave Humane, Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi, në fjalën e tij, solli në vëmendje përpjekjet për ndërtimin e alfabetit, grafizimin e gjuhës shqipe si dhe rreziqet e sotme në drejtshkrimin e saj.
Ndërsa Prof. Asoc. Dr. Enriketa Sogutlu, Përgjegjëse e Departamentit të Edukimit të Gjuhës dhe Letërsisë angleze ligjëroi rreth gjuhës dhe teknologjisë. Ajo diskutoi raportin e gjuhës shqipe me teknologjizimin. Diskutimet vazhduan më tej me Dr. Edona Llukaçaj, ku diskutoi rreth gjuhës shqipe dhe përkthimin e saj në gjuhë të tjera, duke theksuar nevojën për një traditë të përkthimit. Ndërsa Prof. Asoc. Dr. Zhuljeta Kadilli Daja, diskutoi rreth arkeologjisë dhe toponimisë.
Dr. Brikena Smajli, u ndal me kumtesën e saj te mitologjia dhe gjuha shqipe. Ndërsa Dr. Valmora Gogo, në fjalën e saj trajtoi drejtshkrimin e gjuhës shqipe nga gazetarët. Referimet u mbyllën me MSc. Alban Tufa. Ai u fokusua te reduktimi i ligjërimit dhe roli që luan letërsia në zhvillimin e ligjërimit dhe gjuhës.
Në fund, rektori i Kolegjit Universitar Bedër, Prof. Dr. Gjergj Sinani, vlerësoi punën e pjesëmarrësve duke vënë theksin te roli që kanë universitetet në zhvillimin e gjuhës dhe kulturës.
Tryeza u mbyll me diskutimet dhe pyetje-përgjigjet me studentët dhe pjesëmarrësit.