Vizita studimore tek Muzeu i Bankës së Shqipërisë

Studentët e programit të Informatikës Ekonomike në Kolegjin Universitar Bedër zhvilluan një vizitë studimore tek Muzeu i Bankës së Shqipërisë, në kuadër të ciklit të aktiviteteve ekstrakurrikulare të parashikuara për këtë vit akademik nga Departamenti i Ekonomisë dhe Biznesit.

Gjatë kësaj vizite, studentët, të shoqëruar nga stafi i departamentit, u pritën nga përfaqësues të Bankës së Shqipërisë. Ata u njohën jo vetëm me ambientet e Muzeut, por edhe me zhvillimet historike dhe etapat e konsolidimit të këtij institucioni të rëndësishëm. 📚📈

Studentët patën mundësinë të eksplorojnë vlerat historike dhe numizmatike të monedhave, përmes ekspozitave me thesare, koleksione monedhash dhe kartëmonedhash, që kanë qarkulluar në territorin tonë nga antikiteti deri në ditët e sotme.

Nga ana tjetër, ata u njohën me ambientet edukative të Bankës, ku vizitorët mund të informohen në mënyrë interaktive. U diskutua gjithashtu për mundësinë e organizimit të leksioneve dhe aktiviteteve të tjera didaktike në fushën e parasë dhe të ekonomisë në të ardhmen.